Trump zyrtarisht shpall bllokadën në Hormuz – Kërcënon Iranin me shkatërrim anijesh nëse sulmohet Marina amerikane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar hyrjen në fuqi të bllokadës së Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më strategjike të transportit të naftës në botë, pas dështimit të bisedimeve mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iran.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin e tij social “Truth Social”, Trump paralajmëroi se çdo anije që shkel zonën e bllokadës do të përballet me “eliminim të menjëhershëm”, duke e përshkruar reagimin ushtarak si të shpejtë dhe brutal. Ai shtoi se nëse Irani ndërmerr sulme ndaj Marinës amerikane, do të ketë goditje të menjëhershme ndaj forcave detare iraniane.

Sipas deklarimeve të tij, marina iraniane është “shkatërruar plotësisht” dhe qindra anije janë fundosur gjatë përplasjeve të fundit, ndërsa paralajmëroi se edhe njësitë e mbetura detare do të goditen nëse afrohen pranë zonës së ndaluar. Megjithatë, kalimi i anijeve civile drejt destinacioneve jo-iraniane do të lejohet.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane e kanë cilësuar vendimin amerikan si të paligjshëm dhe e kanë krahasuar me “akt piraterie”, duke paralajmëruar kundërmasa në rast të rrezikimit të porteve të tyre. Teherani ka deklaruar gjithashtu se do të vendosë një mekanizëm të përhershëm kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit.

Tensionet kanë sjellë pasiguri të madhe në tregjet ndërkombëtare të energjisë, pasi ky korridor përmes të cilit kalon një pjesë e madhe e eksporteve globale të naftës po përballet me kufizime serioze. Ndërkohë, disa anije janë detyruar të devijojnë ose të ndalojnë lundrimin për shkak të rrezikut të përshkallëzimit të konfliktit.