Berisha u shfaqet sërish shqiptarëve: Kullat e drogës rrëzuan euron dhe dollarin, Rama kërcënon rajonin’

Sali Berisha, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur atë me kartelet ndërkombëtare të drogës dhe duke e cilësuar situatën si kërcënim për sigurinë rajonale dhe europiane.

Në komunikimin e tij të përjavshëm me qytetarët, Berisha deklaroi se pastrimi i parave të drogës përmes sektorit të ndërtimit, veçanërisht në projektet e kullave, ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvlerësimin e euros dhe dollarit në vend, duke sjellë pasoja të rënda për ekonominë dhe duke çuar drejt falimentimit të mijëra bizneseve.

Ai shkoi më tej duke pretenduar se lidhjet e qeverisë me grupe të fuqishme kriminale, përfshirë kartelin e njohur Sinaloa, janë të shumëfishta dhe përbëjnë rrezik për stabilitetin në rajon.

Ndërkohë, Berisha prezantoi edhe një iniciativë të re të Partisë Demokratike, e fokusuar te strehimi social. Sipas tij, kjo politikë synon të ulë çmimet e apartamenteve dhe të krijojë më shumë mundësi për qytetarët që të përballojnë blerjen e banesave.

Deklaratat e tij vijnë në një klimë të tensionuar politike, ndërsa akuzat për korrupsion dhe lidhje me krimin vijojnë të dominojnë debatin publik në vend.