‘Klimë tensioni prag bisedimeve – Trump shpërthen ndaj Iranit: Jeni gjallë vetëm për të negociuar!

Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar ndjeshëm tonet ndaj Iranit, vetëm pak ditë përpara nisjes së negociatave të shumëpritura mes dy vendeve, duke lëshuar një deklaratë të fortë që ka rritur edhe më tej tensionet.

Në një reagim të publikuar në platformën Truth Social, Trump akuzoi Teheranin se po përpiqet të ushtrojë presion ndaj botës përmes kontrollit të rrugëve ujore ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë si një “zhvatje afatshkurtër”.

“Iranianët nuk duket se e kuptojnë se nuk kanë karta,” shkroi ai, përpara se të shtonte deklaratën më të fortë:
“Arsyeja e vetme pse ata janë gjallë sot është për të negociuar.”

Këto komente vijnë në një moment kritik, ndërsa Irani ka vendosur kushte të qarta përpara nisjes së dialogut. Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se bisedimet nuk mund të fillojnë pa përmbushjen e dy kërkesave themelore nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas tij, Teherani kërkon fillimisht një armëpushim në Liban, si dhe lirimin e aseteve financiare iraniane të bllokuara nga Uashingtoni. Ndryshe nga herët e tjera, kjo kërkesë është vendosur këtë herë si parakusht i panegociueshëm për uljen në tryezë.

Përplasja e deklaratave mes palëve tregon se negociatat e planifikuara për këtë fundjavë pritet të zhvillohen në një klimë të tensionuar, me pozicione të forta dhe pak hapësirë për kompromis të shpejtë.