Përfundon misioni historik! Astronautët e Artemis II kthehen nga Hëna pasi thyen çdo rekord distance

Astronautët e misionit Artemis II janë rikthyer me sukses në Tokë pas një udhëtimi spektakolar rreth Hënës, duke shënuar një nga arritjet më të mëdha të eksplorimit hapësinor në dekadat e fundit.

Kapsula Orion spacecraft, e pagëzuar “Integrity”, u ul në mënyrë të sigurt në Oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të San Diegos në Kaliforni, rreth orës 02:00 sipas kohës lokale. Ulja u realizua me ndihmën e parashutave dhe u transmetua drejtpërdrejt nga NASA, duke mbajtur në ankth miliona shikues në mbarë botën.

Misioni 10-ditor rezultoi një sukses i plotë, teksa ekuipazhi arriti të udhëtojë më larg se çdo njeri tjetër në histori moderne, duke përshkuar mbi 1.1 milion kilometra në hapësirë. Gjatë fluturimit, astronautët realizuan dy orbita rreth Tokës dhe një kalim të afërt pranë Hënës, në një distancë prej rreth 6,400 kilometrash nga sipërfaqja e saj.

Ekuipazhi përbëhej nga astronautët Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch nga NASA, si dhe Jeremy Hansen nga Agjencia Hapësinore Kanadeze. Pas uljes, ata u nxorën nga kapsula në det dhe u transportuan menjëherë në një anije shpëtimi, ku do t’i nënshtrohen kontrolleve të detajuara mjekësore dhe testeve fizike.

Faza më kritike e misionit ishte rikthimi në atmosferë, ku kapsula u përball me kushte ekstreme. Gjatë rihyrjes, ajo arriti një shpejtësi rreth 32 herë më të madhe se ajo e zërit, ndërsa mburoja termike u ekspozua ndaj temperaturave që arrinin deri në 2760 gradë Celsius.

Ky test i suksesshëm konfirmon se teknologjia e përdorur në kapsulën Orion është e aftë të përballojë kushtet më të ashpra të kthimit nga hapësira e thellë. Misioni shënon një hap vendimtar drejt objektivit të madh të programit Artemis: rikthimin e astronautëve në Hënë dhe vendosjen e një pranie të qëndrueshme njerëzore atje në vitet e ardhshme.