Shokuese për Beogradin – Serbia rrezikon humbjen e 1.5 miliardë eurove nga BE – Brukseli gati për masa të ashpra

Serbia po përballet me një presion të fortë nga Bashkimi Evropian, ndërsa institucionet europiane po shqyrtojnë mundësinë e pezullimit të deri në 1.5 miliardë euro fonde, në një vendim që do të përbënte një goditje të rëndë për financat dhe procesin e integrimit të vendit.

Sipas raportimeve nga Brukseli, masa po diskutohet për shkak të shqetësimeve mbi regresin demokratik në vend, dobësimin e institucioneve të pavarura dhe afrimin gjithnjë e më të dukshëm të Beogradit me Rusinë.

Edhe pse nuk është shtet anëtar i BE-së, Serbia përfiton prej vitit 2014 fonde të konsiderueshme në kuadër të procesit të anëtarësimit dhe reformave të kërkuara nga Brukseli. Një vendim për pezullimin e këtyre fondeve do të ngadalësonte ndjeshëm rrugën e saj drejt integrimit europian, në një moment kur edhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Ukraina po synojnë anëtarësimin.

Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, ka shprehur shqetësime të hapura për situatën në Serbi, duke përmendur probleme në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime ndaj protestave dhe ndërhyrje në media.

Brenda institucioneve europiane, sipas burimeve diplomatike, po rritet mbështetja për një qasje më të ashpër ndaj Beogradit, përfshirë edhe pezullimin e financimeve në rast se nuk shihen përmirësime konkrete në reforma.

Nga ana tjetër, autoritetet serbe kanë reaguar duke mohuar mundësinë e humbjes së fondeve. Ambasadori i Serbisë në BE, Danijel Apostoloviq, është shprehur i bindur se bashkëpunimi me Brukselin do të vazhdojë dhe se vendi mbetet i përkushtuar ndaj rrugës europiane.

Ndërkohë, BE-ja mbetet donatori më i madh për Serbia, me qindra miliona euro ndihma vjetore dhe miliarda euro investime të akumuluara ndër vite, por tensionet politike dhe kritikat për sundimin e ligjit po e vënë në pikëpyetje këtë marrëdhënie.

Në Bruksel, shqetësimet janë shtuar edhe pas raportimeve për parregullsi zgjedhore dhe rritje të tensioneve të brendshme politike në Serbi, duke e kthyer çështjen në një nga temat më të nxehta të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.