Megaperacioni policor trondit showbiz-in turk – Në hetim për drogë Burak Deniz dhe 13 VIP-a…

Një operacion i gjerë policor ka tronditur botën e showbiz-it në Turqi, ku 14 persona të njohur publikë janë vënë në shënjestër të autoriteteve në kuadër të një hetimi për çështje që lidhen me drogën.

Mes emrave më të bujshëm është edhe aktori i njohur Burak Deniz, i cili është ndaluar mëngjesin e sotëm. Së bashku me të, në këtë operacion janë përfshirë edhe figura të tjera të njohura si reperi Norm Ender, muzikanti Mert Demir, shefi i kuzhinës Somer Sivrioğlu, si dhe aktorja Büşra Pekin.

Operacioni është zhvilluar me urdhër të Kryeprokurorisë Publike të Anadollit dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve Narkotike të Xhandarmërisë në Stamboll. Sipas autoriteteve, hetimi ka për objekt ndjekjen penale të personave të dyshuar për blerje, posedim dhe përdorim të lëndëve narkotike për qëllime personale.

Deri më tani, raportohet se 11 persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim dhe një ndodhet jashtë vendit. Lista e personave të përfshirë përfshin gjithashtu emra të njohur si Hafsanur Sancaktutan, Emir Can İğrek, Serra Pirinç, Ahsen Eroğlu dhe të tjerë.

Prokuroria ka theksuar se hetimet do të vijojnë me intensitet, duke nënvizuar se lufta kundër krimeve që rrezikojnë shëndetin publik nuk do të kursejë askënd, pavarësisht statusit apo famës.

Ky operacion ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe në industrinë e argëtimit, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi përfshirjen e figurave të njohura në aktivitete të paligjshme.