Përplasje diplomatike – Spanja rihap ambasadën në Teheran – Izraeli shpërthen me akuza të forta

Vendimi i Spanjës për të rihapur ambasadën e saj në Teheran ka shkaktuar një reagim të menjëhershëm dhe të ashpër nga Izrael, duke thelluar përplasjet diplomatike në një rajon tashmë të tensionuar.

Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, njoftoi se ambasadori i vendit do të rikthehet në Teheran dhe do të rifillojë funksionimin e misionit diplomatik, me synimin për të kontribuar në përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme. “Do të marrim pjesë në këtë përpjekje për paqe nga çdo kontekst i mundshëm, madje edhe nga vetë kryeqyteti iranian,” deklaroi ai.

Por ky hap është kritikuar ashpër nga zyrtarët izraelitë. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, reagoi me tone të forta në rrjetet sociale, duke akuzuar Spanjën se po bashkëpunon “pa turp” me regjimin iranian, të cilin e cilësoi si “shtet terrorist”.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Spanjës dhe Izraelit janë përkeqësuar ndjeshëm. Madridi ka kritikuar vazhdimisht veprimet ushtarake të Izraelit në rajon dhe ka akuzuar si Izraelin ashtu edhe SHBA-në për shkelje të ligjit ndërkombëtar, veçanërisht pas sulmeve ajrore në Liban pavarësisht armëpushimit të shpallur.

Për më tepër, Spanja ka ndërmarrë hapa konkretë kundër përshkallëzimit të konfliktit, duke mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionët e përfshirë në operacione ushtarake që i konsideron të paligjshme.

Rihapja e ambasadës në Teheran shihet nga Madridi si një përpjekje diplomatike për të ndikuar në stabilizimin e rajonit, por nga Tel Avivi interpretohet si një sinjal i rrezikshëm politik, që mund të thellojë më tej ndarjet mes aleatëve perëndimorë.