Shënja lufte në PS – Ish ministri Vengu kritikon Bordin e Qeverisë: “Çmimet ndërkombëtare të naftës të reflektohen dhe në Shqipëri”

Ish-ministri socialist, Pirro Vengu, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Bordit të Transparencës për të ulur çmimin e naftës vetëm 4 lekë për litër, pavarësisht rënies së ndjeshme të bursave ndërkombëtare pas armëpushimit 15-ditor mes SHBA-së dhe Iranit.

Vengu thekson se ulja e çmimeve globale të karburanteve duhet të reflektohet në të njëjtën masë edhe në tregun shqiptar, duke parandaluar abuzimet e grosistëve dhe përfitimet në kurriz të qytetarëve. Ai i bën thirrje qeverisë dhe agjencive ligjzbatuese të aplikojnë masa zbutëse për të mbrojtur konsumatorët dhe të sigurojnë që gjithë zinxhiri nga importuesit te distributorët të mos përfitojë nga situata.

“Kur çmimet ndërkombëtare bien, çmimet në shitjen me pakicë duhet të bien gjithashtu dhe në të njëjtën masë. Armëpushimi mund të rihapë stabilisht Ngushticën e Hormuzit, por në Shqipëri, Bordi u tall me këtë ulje duke e reflektuar vetëm pjesërisht”, shkruan Vengu, duke nënvizuar se nga 110 dollarë për fuçi në bursë, nafta Brent ra në 90 dollarë, ndërsa çmimi i naftës në Shqipëri u ul vetëm nga 224 në 220 lekë për litër.

Ky reagim vjen pas kritika të vazhdueshme për mënyrën se si Bordi i Transparencës menaxhon pasojat e luhatjeve globale të çmimeve të energjisë.