Presidenti amerikan, Donald Trump, ka hedhur poshtë një nga kërkesat kryesore të Iranit në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit dyjavor të njoftuar javën e kaluar. Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me Teheranin në disa çështje, por nuk do të lejojnë pasurimin e uraniumit, një nga pikat më të diskutueshme të propozimit iranian prej 10 pikash.
Trump shtoi se Uashingtoni është i gatshëm të diskutojë lehtësimin e tarifave dhe sanksioneve, duke lënë hapësirë për negociata ekonomike, por pa cënuar kërkesat kryesore të sigurisë kombëtare të SHBA-së.
Ky qëndrim vjen pak orë pas arritjes së armëpushimit dyjavor, të shpallur nga Trump më pak se dy orë para skadimit të ultimatumit që ai i kishte dhënë Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Presidenti kishte paralajmëruar më parë se, nëse Teherani nuk pranon kushtet, do të shkatërrohej “një qytetërim i tërë”.
Marrëveshja u arrit pas ndërhyrjes së Pakistanit, përmes kryeministrit Shehbaz Sharif dhe shefit të forcave të armatosura, Asim Munir, të cilët vepruan si ndërmjetës midis Uashingtonit dhe Teheranit. Armëpushimi përfshin pezullimin e sulmeve dhe një periudhë dyjavore bisedimesh diplomatike, ndërsa Irani është i detyruar të rihapë Ngushticën e Hormuzit për kalimin e anijeve detare.
Ndërkohë, refuzimi i pasurimit të uraniumit nga SHBA-ja pritet të jetë pika më e vështirë e negociatave në rundin e ardhshëm të takimeve në Islamabad, ku pritet të diskutohet finalizimi i marrëveshjes dhe mënyrat për të siguruar një zgjidhje afatgjatë për tensionet në Lindjen e Mesme.










