Bordi i Transparencës ul çmimin e naftës në Shqipëri, pas armëpushimit në Iran – Çmimi i benzinës mbetet i pandryshuar

Pas arritjes së armëpushimit midis SHBA-së dhe Iranit, Bordi i Transparencës ka vendosur të ulë çmimin e naftës në tregun shqiptar, duke reflektuar uljen e çmimeve ndërkombëtare të energjisë. Nga 224 lekë për litër, çmimi i naftës bie në 220 lekë/litër. Ndërkohë, çmimi i benzinës mbetet i pandryshuar në 181 lekë/litër.

Sipas njoftimit zyrtar të Bordit, vendimi hyn në fuqi sot, datë 8 prill, ora 15:30, dhe do të jetë i vlefshëm deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të përcaktohen ndryshimet e reja të çmimeve të shitjes.

Çmimet e reja të shitjes:
• Nafta (gazoil, standard SSH EN 590): me pakicë jo më shumë se 220 lekë/litër; me shumicë jo më shumë se 208 lekë/litër.
• Benzina (standard SSH EN): me pakicë jo më shumë se 181 lekë/litër; me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.

Bordi thekson se çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë këtë vendim, përndryshe do të përballet me pezullim të aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar për të mbrojtur interesat e konsumatorëve dhe për të ruajtur parimet e konkurencës së ndershme në treg, duke siguruar që ulja e çmimeve të reflektohet në tregun vendas.