Moska sulmon SHBA-në pas armëpushimit – Zëdhënësja e Diplomacisë ruse: “Strategjia agresive dështoi keq”

Rusia ka reaguar ashpër pas shpalljes së armëpushimit dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit, duke e cilësuar qasjen amerikane si një dështim të rëndë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se retorika agresive dhe kërcënimet për sulme ndaj Iranit kanë pësuar një “disfatë shkatërruese”.

Sipas saj, përpjekjet për një ndërhyrje ushtarake të njëanshme kanë dështuar, duke konfirmuar qëndrimin e Moskës se konflikti nuk mund të zgjidhet me forcë. Ajo theksoi se Rusia ka kërkuar që në fillim ndalimin e menjëhershëm të veprimeve ushtarake dhe nisjen e një procesi të mirëfilltë diplomatik.

Deklarata vjen pasi Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi pezullimin e sulmeve ndaj Iranit për dy javë, në kuadër të një armëpushimi të përkohshëm që synon hapjen e rrugës për negociata.

Ndërkohë, tensionet në rajon mbeten të larta, pas përshkallëzimit të konfliktit në javët e fundit, që përfshiu sulme të ndërsjella dhe ndikoi edhe në sigurinë e transportit në Ngushticën e Hormuzit.