Këngëtarja e njohur Lady Gaga ka njoftuar anulimin e papritur të koncertit të saj në Montreal për shkak të një infeksioni respirator, duke shprehur keqardhje të thellë për fansat. Artistja bëri njoftimin përmes një postimi në Instagram të hënën më 6 prill, duke treguar se gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar pavarësisht përpjekjeve për pushim dhe rikuperim.
“Përshëndetje të gjithëve, më vjen shumë keq t’ju njoftoj se nuk do të mund të performoj sonte dhe më duhet të anuloj koncertin. Kam disa ditë që po përballem me një infeksion respirator dhe po bëj çmos për t’u rikuperuar. Gjendja ime është përkeqësuar dhe mjeku më këshilloi të mos performoj. Nuk mendoj se mund t’ju jap cilësinë e performancës që meritoni,” shkroi Gaga.
Ajo shtoi se ndihet e zhgënjyer për fansat që kishin bërë plane për të ndjekur koncertin dhe theksoi rëndësinë e performancave të mëparshme në Montreal: “Performancat e së enjtes dhe të premtes ishin magjike dhe shumë të rëndësishme për mua. Për të gjithë ata që do të vinin sonte, jam vërtet e shkatërruar dhe më vjen shumë keq.”
Ende nuk është bërë e ditur nëse koncerti i anuluar do të riplanifikohet. Turneu “Mayhem Ball”, i nisur verën e kaluar, do të përmbyllet me dy koncerte në Minneapolis më 9 dhe 10 prill, ndërsa ndalesa e fundit është planifikuar për më 13 prill në Madison Square Garden, New York.
















