Ish-gjyqtari nën akuzë për pastrim parash dhe fshehje pasurie përmes të afërmve – dyshohet për divorc fiktiv

Gjykata e Durrësit ka vendosur sekuestrimin e një pasurie në Tiranë, e cila dyshohet se është fshehur nga ish-gjyqtari Arjan Aliaj përmes personave të afërt. Bëhet fjalë për një truall prej 300 m², ku përfshihet edhe një ndërtesë 150 m², e regjistruar në emër të familjarëve të tij.

Sipas hetimeve të prokurorisë, kjo pasuri dyshohet se është përfituar në mënyrë të paligjshme, si rezultat i vendimeve gjyqësore të dhëna nga Aliaj në vitet ’90 për çështje pronësie. Konkretisht, në vitin 1995 ai ka njohur të drejtën e pronës për një familje në Tiranë, ndërsa më pas prona ka kaluar nëpërmjet kontratave të ndryshme te persona të lidhur me të.

Fillimisht, prona është transferuar tek kunati i tij, përmes një kontrate dhurimi. Më pas, në vitin 2005, ajo i është shitur vëllait të ish-gjyqtarit për një shumë të deklaruar prej 4 milionë lekësh. Në vitin 2012, kjo pasuri është dhuruar sërish, këtë herë bashkëshortes dhe një tjetër familjari të Aliajt.

Prokuroria thekson se kjo pasuri nuk është deklaruar as në deklaratat vjetore dhe as gjatë procesit të vetingut. Për më tepër, ekzistojnë dyshime se ish-gjyqtari ka realizuar një divorc fiktiv me bashkëshorten, me qëllim shmangien e detyrimit për deklarimin e pasurive. Edhe pse zyrtarisht të ndarë, ata rezultojnë të kenë vijuar jetesën dhe udhëtimet së bashku për disa vite.

Sipas organit të akuzës, e gjithë skema përfshin një rrjet transaksionesh mes familjarëve, që synon të fshehë origjinën e pasurisë dhe lidhjen e saj me vendimet gjyqësore të mëparshme.

Ndaj ish-gjyqtarit janë ngritur dy akuza penale: për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, si dhe për pastrim të produkteve të veprës penale.

Hetimet për këtë çështje kanë nisur nga SPAK dhe më pas janë transferuar në Prokurorinë e Durrësit. Ndërkohë, Aliaj është shkarkuar më herët nga detyra në kuadër të procesit të vetingut.

Pasuria e sekuestruar tashmë është në administrim nga autoritetet përkatëse, të cilat do të ndjekin procedurat e mëtejshme ligjore.