Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka reaguar për herë të parë pas rrëzimit të një avioni luftarak amerikan të tipit F-15 në territorin e Iranit, duke theksuar se incidenti nuk do të ndikojë në proceset diplomatike mes dy vendeve.
I pyetur nëse kjo ngjarje mund të ndikojë në negociatat me Iranin, Trump u shpreh prerazi: “Aspak”. Ai shtoi se situata duhet parë në kontekstin e një përballjeje më të gjerë, duke deklaruar: “Kjo është luftë”.
Presidenti amerikan shmangu dhënien e detajeve lidhur me operacionin e kërkim-shpëtimit që po zhvillohet aktualisht, duke e cilësuar atë si një mision të ndjeshëm ushtarak. Ai gjithashtu shprehu pakënaqësi për mënyrën se si disa media kanë raportuar mbi këtë çështje.
Sipas informacioneve paraprake, njëri prej dy pilotëve është shpëtuar i gjallë, ndërsa operacionet vijojnë për gjetjen e pilotit tjetër.
Kjo është deklarata e parë publike e Trump që nga momenti i incidentit, ndërkohë që zhvillimet në terren mbeten ende në ndjekje.









