Mesfushori i Chelsea, Moisés Caicedo, ka bërë të qartë se prioriteti i tij mbetet qëndrimi në Londër, megjithatë nuk ka mbyllur plotësisht derën për mundësi të tjera në të ardhmen, përfshirë edhe një kalim te Real Madrid.
24-vjeçari, i cili u transferua nga Brighton & Hove Albion për një shumë rekord prej 115 milionë eurosh në verën e vitit 2023, është shprehur se synon të lërë gjurmë të mëdha në “Stamford Bridge” dhe të ndërtojë një karrierë të gjatë me klubin londinez.
Në një intervistë për median spanjolle “AS”, ai u ndal te rrugëtimi i tij i shpejtë drejt elitës së futbollit, duke theksuar krenarinë për arritjet e deritanishme, por edhe dëshirën për t’u përmirësuar vazhdimisht.
“Jam krenar për atë që kam arritur, por e di që kam ende shumë përpara. Të luaj për Chelsea dhe të përfaqësoj Ekuadorin në Botëror është një ëndërr e bërë realitet për mua dhe familjen time. Dua të vazhdoj të punoj fort për t’u bërë edhe më i mirë”, u shpreh mesfushori.
I pyetur për një të ardhme të mundshme te Real Madrid, Caicedo u tregua i rezervuar, duke lënë gjithçka të hapur.
“Në futboll nuk mund t’i parashikosh gjërat. Aktualisht jam i fokusuar vetëm te Chelsea dhe nuk kam menduar për largim, por si gjithmonë, e ardhmja mund të sjellë surpriza”, deklaroi ai.
Në fund, ai theksoi edhe njëherë lidhjen e fortë me klubin anglez: “Chelsea është një klub i madh dhe më ka mbështetur shumë që nga dita e parë. Dua t’ua shpërblej besimin dhe të qëndroj këtu sa më gjatë që të jetë e mundur.”









