Alarm te Bayern – dyshime për aktivizimin e Harry Kane para sfidave vendimtare

Situata tek Bayern është bërë shqetësuese, pasi prania e Harry Kane në ndeshjet e radhës mbetet në pikëpyetje.

Sulmuesi anglez ndërpreu stërvitjen e fundit pas vetëm pak minutash për shkak të një shqetësimi fizik të papritur. Sipas trajnerit të Anglisë, Thomas Tuchel, bëhet fjalë për një dëmtim të lehtë, por që kërkon vëmendje dhe kontrolle të mëtejshme.

Mungesa e tij u ndje menjëherë, pasi Anglia u mposht minimalisht nga Japonia, duke treguar edhe një herë varësinë nga kapiteni i saj. Tuchel e krahasoi rëndësinë e Kejnit me figura si Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo për kombëtaret respektive, duke theksuar se është normale që ekipet të mbështeten te yjet kryesorë.

Ndërkohë, trajneri i bavarezëve, Vincent Kompany, mund të detyrohet të bëjë llogaritë pa sulmuesin kryesor në ndeshjen e Bundesligës ndaj Frajburgut, sidomos duke pasur parasysh edhe mungesën e Nicolas Jackson për shkak pezullimi.

Me sfidën e rëndësishme të Real Madrid në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve në horizont, stafi teknik nuk pritet të marrë rreziqe të panevojshme. Nëse Kejn nuk rikuperohet në kohë, alternativa të mundshme në sulm mbeten zhvendosja e Serge Gnabry në qendër ose aktivizimi i lojtarëve të rinj në repartin ofensiv.

E ardhmja e afërt e sulmit bavarez varet tashmë nga gjendja fizike e golashënuesit kryesor, ndërsa klubi përballet me një moment delikat të sezonit.