Kryeministri britanik, Starmer ka njoftuar se Mbretëria e Bashkuar do të zhvillojë bisedime me 35 vende për të shqyrtuar mundësitë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme detare për transportin global të naftës.
Kjo lëvizje vjen në një moment tensionesh të larta, pasi konflikti mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe Irani ka bërë që kalimi në këtë ngushticë të bllokohet praktikisht, duke ndikuar drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Gjatë një konference për shtyp, Starmer bëri të ditur se ministrja e jashtme, Yvette Cooper, do të organizojë një takim virtual me përfaqësues nga 35 shtete për të diskutuar masat konkrete që mund të merren për të garantuar një kalim të sigurt, sapo situata në terren të stabilizohet.
Mbyllja e kësaj rruge strategjike ka shkaktuar rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës dhe gazit në tregjet globale, duke detyruar disa vende të përdorin rezervat e tyre strategjike për të zbutur ndikimin ekonomik.
Në nismë pritet të përfshihen edhe vende si Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Holanda, të cilat kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në garantimin e sigurisë në zonë.
Megjithatë, Starmer theksoi se rihapja e ngushticës nuk do të jetë e lehtë dhe do të kërkojë koordinim të gjerë ndërkombëtar.
Ndërkohë, Donald Trump ka kritikuar ashpër vendet evropiane për mungesë veprimi, duke u bërë thirrje të marrin më shumë përgjegjësi dhe të mos varen nga Shtetet e Bashkuara për zgjidhjen e krizës.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa zhvillimet e ardhshme pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë globale dhe furnizimin me energji.









