Paralajmërohen goditje të reja ndaj Iranit – Trump deklaron: Po fitojnë luftën; Do të përballen me forcë shkatërruese

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë në epërsi në konfliktin me Iranin, duke theksuar se “armiqtë tanë po humbasin dhe Amerika po fiton”.

Gjatë një fjalimi drejtuar kombit për operacionin ushtarak “Epic Fury”, Trump mbrojti ndërhyrjen kundër Teheranit, të cilin e cilësoi si regjim të rrezikshëm dhe përgjegjës për mijëra viktima ndër vite. Ai nënvizoi se sulmet amerikane kanë dobësuar ndjeshëm kapacitetet ushtarake të Iranit dhe kanë frenuar ambiciet e tij bërthamore.

Sipas presidentit amerikan, forcat e armatosura kanë arritur “fitore të shpejta dhe dërrmuese”, ndërsa shtoi se SHBA është pranë realizimit të objektivave strategjikë.

Në një ton të ashpër, Trump paralajmëroi për përshkallëzim të mëtejshëm të sulmeve në javët në vijim, duke theksuar se në mungesë të një marrëveshjeje, mund të goditet edhe infrastruktura energjetike e Iranit. “Do t’i godasim fort… do t’i kthejmë në epokën e gurit”, u shpreh ai, duke kërkuar njëkohësisht durim nga qytetarët amerikanë.