“KILOMETRI I FUNDIT”/ Berisha akuza për çmimet dhe thirrje për protestë: Më 17 prill qytetarët në shesh

Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, ka ngritur shqetësimin për rritjen e çmimeve në vend, duke theksuar se ato janë më të larta se në shumë vende të Bashkimit Evropian, pavarësisht fuqisë më të ulët blerëse në Shqipëri.

Ai u ndal veçanërisht te çmimi i naftës, duke e cilësuar barrën fiskale si tepër të rëndë për qytetarët. Sipas tij, taksat mbi karburantin në Shqipëri arrijnë nivele që nuk justifikohen ekonomikisht, ndërsa solli si krahasim çmimet në SHBA, ku një litër naftë kushton ndjeshëm më pak.

Berisha theksoi se rritja e çmimeve nuk kufizohet vetëm te karburantet, por prek edhe produktet bazë ushqimore si sheqeri, orizi dhe mishi, të cilat sipas tij dominohen nga struktura oligopoliste. Ai shtoi se, ndonëse këto fenomene nuk janë vetëm shqiptare, shtetet e tjera kanë mekanizma më efektivë për mbrojtjen e konsumatorit.

Në fjalën e tij, kryedemokrati hodhi akuza edhe ndaj qeverisë për dështim në rrugën drejt integrimit evropian, duke pretenduar se reformat në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit nuk kanë dhënë rezultatet e kërkuara.

Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 17 prill, të cilën e cilësoi si një reagim paqësor për mbrojtjen e interesave të tyre dhe kundër situatës aktuale në vend.