PS “avancon” me reformën territoriale – Mazniku zbulon planin: 4 skenarë në lojë me ose pa PD

Qeveria dhe mazhoranca socialiste kanë hedhur në tryezë katër skenarë për reformën e re territoriale, duke sinjalizuar se procesi do të vijojë me ose pa përfshirjen e opozitës.

Ministri Arben Mazniku prezantoi variantet kryesore, ndërsa u bë e qartë se votimi i reformës pritet të zhvillohet në dy faza: në korrik për strukturën dhe në tetor për ndarjen territoriale, me synim zbatimin para zgjedhjeve të ardhshme.

Katër skenarët e propozuar përfshijnë:
• Skenari 1: Ndryshime minimale në hartën aktuale, me shkrirjen e disa bashkive të vogla dhe një rishpërndarje më të thellë të kompetencave mes pushtetit vendor dhe qeverisë qendrore.
• Skenari 2: Krijimi i “superbashkive”, duke bashkuar disa qytete dhe reduktuar ndjeshëm numrin e njësive vendore.
• Skenari 3: Forcimi i rolit të qarqeve pa ndryshuar kufijtë aktualë, me mundësinë që drejtuesit e tyre të zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët.
• Skenari 4: Ndarja e vendit në katër rajone të mëdha, që do të funksiononin si struktura ombrellë për disa bashki, me kompetenca në investime, financim dhe emergjenca civile.

Kryeministri Edi Rama nuk ka shprehur ende një preferencë për ndonjë nga skenarët, por ka theksuar se procesi do të ndiqet hap pas hapi dhe në bashkëpunim me opozitën. Megjithatë, nëse nuk arrihet konsensus, mazhoranca pritet të ndjekë procedurat për ta çuar përpara reformën edhe pa Partinë Demokratike.