Dritan Burgia, një nga mbështetësit e hershëm të Sali Berisha pas përjashtimit të tij në vitin 2021, ka dalë hapur kundër lidershipit aktual të Partisë Demokratike, duke denoncuar manipulime dhe vendimmarrje arbitrare brenda partisë.
Në një intervistë për gazetën “Tema”, Burgia rrëfen rrugëtimin e tij politik, nga angazhimi në lëvizjen e rithemelimit deri te përjashtimi i fundit nga PD, të cilin e cilëson pa asnjë motivacion dhe të padrejtë.
Ai ndalet veçanërisht te procesi i primareve, për të cilin ngre akuza të forta. Sipas tij, numri i anëtarësisë në degën e Durrësit u rrit në mënyrë të dyshimtë me rreth 4 mijë persona, të cilët – siç pretendon – janë marrë nga lista të fasonerive për të ndikuar rezultatin në favor të kandidatëve të caktuar.
Megjithatë, ai thekson se rezultatet e primareve nuk u reflektuan në listat përfundimtare të zgjedhjeve të vitit 2025, çka sipas tij tregon mungesë transparence dhe respekti për procesin.
Burgia gjithashtu vë në dukje rënien e ndjeshme të mbështetjes elektorale për PD-në, sidomos në Durrës, ku – sipas tij – votat janë përgjysmuar në zgjedhjet e fundit. Ai shton se besimi i demokratëve ndaj lidershipit ka arritur nivele minimale, ndërsa pohon se ka marrë mbështetje të gjerë nga anëtarë dhe simpatizantë të partisë për qëndrimet e tij kritike.









