Kosova dhe Kolumbia thellojnë bashkëpunimin – firmosen 3 marrëveshje të reja; drejt heqjes së vizave edhe për qytetarët

Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve me Kolumbinë, duke nënshkruar tri marrëveshje të reja, përfshirë heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, zhvilloi një takim me homologen kolumbiane, Paula Andrea Cerón Arboleda, ku u riafirmua angazhimi i përbashkët për avancimin e bashkëpunimit dypalësh dhe zhvillimin e marrëdhënieve institucionale.

Tri marrëveshjet e nënshkruara përfshijnë:

  • Heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe zyrtare;
  • Marrëveshjen për konsultime politike ndërmjet dy ministrive të jashtme;
  • Memorandumin e bashkëpunimit mes akademive diplomatike të dy vendeve.

Ahmeti dhe Arboleda diskutuan gjithashtu mundësinë e heqjes së vizave për pasaportat e rregullta, duke dorëzuar një draft fillestar për këtë çështje, si një hap drejt lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve. Palët u pajtuan që raundi i parë i konsultimeve politike në Prishtinë të mbahet së shpejti, me qëllim konkretizimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Gjatë vizitës në Kolumbi, zëvendësministri Ahmeti zhvilloi takime edhe me Zëvendësministrin e Mbrojtjes, Javier Baquero, si dhe me përfaqësues të ministrive të kulturës, arsimit, sportit dhe bujqësisë, duke identifikuar mundësi konkrete për bashkëpunim të mëtejshëm.

Vizita përmbylli një seri takimesh që rezultuan në nënshkrimin e gjithsej gjashtë marrëveshjeve të ndryshme, duke konsoliduar praninë dhe partneritetet e Kosovës në Amerikën Latine.