Pas fitores historike të Kosovës ndaj Sllovakisë me rezultat 4-3 në gjysmëfinalen e “play-off”-it për Kupën e Botës 2026, Kryeministri Albin Kurti ka vendosur të shpërblejë skuadrën kombëtare.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, njoftoi se vendimi për ndarjen e shpërblimit prej 500 mijë eurosh do të kalojë për miratim të hënën në mbledhjen e Qeverisë. Murati e bëri njoftimin përmes një postimi në Facebook, duke e quajtur “një shpërblim për fitoren e mbrëmshme të Dardanëve”.
“Mirëmëngjes fitues! Me kërkesë të Kryeministrit, vendimin për ndarjen e shpërblimit prej 500 mijë euro për fitoren e mbrëmshme të Dardanëve do ta kemi gati për miratim të hënën në mbledhje të Qeverisë”, shkroi Murati.
Gjithashtu, Kryeministri Kurti premtoi se, në rast të një fitoreje kundër Turqisë në finalen e play-off-it dhe kualifikimit për në Kupën e Botës 2026, shpërblimi për futbollistët dhe stafin do të rritet në 1 milion euro.
Finalja do të zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku Kosova synon të shkruajë histori në arenën ndërkombëtare dhe të sigurojë për herë të parë një vend në Botëror.









