Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën për pafajësi të eurodeputetit grek, Fredi Beleri, duke lënë në fuqi vendimin për dënimin e tij me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhje.
Beleri ishte dënuar pasi u kap duke blerë vota gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të vitit 2023, kur garonte për postin e kryebashkiakut të Himarës.
Po ashtu, Gjykata e Lartë ka rrëzuar edhe kërkesën për pafajësi të bashkëpunëtorit të tij, Pandeli Kokaveshi, i cili ishte dënuar më herët me shërbim prove.
Me këtë vendim, organi më i lartë i drejtësisë në vend konfirmon përfundimisht fajësinë e të akuzuarve, duke mbyllur një nga çështjet më të diskutuara politike dhe ligjore të viteve të fundit.









