Dimër në pranverë – Nesër mot i paqëndrueshëm – Reshje shiu dhe dëbore në zonat malore

Ditën e premte, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me vranësira të dendura dhe intervale të herëpashershme kthjellimesh, kryesisht në ultësirën perëndimore.

Reshjet e shiut pritet të nisin që në orët e para të ditës dhe të vijojnë deri në pasditen e vonë, me intensitet të ulët dhe herë pas here në formën e shtrëngatave afatshkurtra.

Temperaturat do të shënojnë rënie, me vlerat maksimale që nuk do të kalojnë 13°C, ndërsa ato minimale do të zbresin deri në 0°C.

Në zonat malore priten reshje dëbore, veçanërisht në Alpe, në verilindje mbi 400–500 metra dhe në lindje e juglindje mbi 700–800 metra lartësi. Në zona të caktuara malore, reshjet mund të shoqërohen edhe me stuhi të përkohshme dëbore.

Pas orëve të pasdites vonë, reshjet pritet të ndërpriten në pjesën më të madhe të territorit.

Era do të fryjë nga juglindja në jugperëndim me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa në momente të veçanta mund të arrijë deri në 15 m/s.