Mbështeti rikthimin e Berishës në krye të PD – shpërthen pas përjashtimit nga partia, Dritan Burgija: Më larguan me metoda komuniste

Këshilltari demokrat në Bashkinë e Durrësit, Dritan Burgija, ka reaguar ashpër pas përjashtimit të tij nga Partia Demokratike, duke deklaruar se vendimin e ka mësuar përmes mediave.

Në një intervistë për A2CNN, ai u shpreh se e priti situatën me qetësi, por theksoi se kontributi i tij në parti nuk mund të fshihet. “Nuk dija të qeshja apo të qaja kur mora vesh lajmin, por e mora me sportivitet,” u shpreh ai.

Burgija kritikoi mënyrën se si po merren vendimet brenda partisë, duke theksuar se kishte mbështetur rikthimin e Sali Berisha me shpresën për rikthimin e meritokracisë në PD. Sipas tij, realiteti sot është krejt ndryshe.

Ai shtoi se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga strukturat e partisë, duke e cilësuar procesin si të paqartë dhe jo transparent. Sipas Burgijës, drejtuesit aktualë po përdorin autoritetin për të përjashtuar anëtarë pa arsye, duke e krahasuar këtë situatë me praktikat e komunizmit.

“Kam luftuar që PD të kthehej në shina dhe të vlerësonte meritën, por sot po përjashtohen demokratë pa fakte. Është një kthim pas, si në komunizëm, kur dënoheshe pa e ditur pse,” u shpreh ai.

Burgija la të kuptohet se përjashtimi i tij mund të lidhet me angazhimin në një aktivitet politik në Durrës, ku kishte mbështetur publikisht ish-deputetin Ervin Salianji.