MESAZHI I BE/ “Dhuna nuk justifikohet” – Delegacioni në Tiranë reagon për protestën e Berishës: Opozita të mbajë përgjegjësi

Delegacioni i Bashkimi Europian në Tiranë ka reaguar lidhur me protestën kombëtare të opozitës të mbajtur më 22 mars, duke theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve demokratike.

Në një përgjigje për interesimin mediatik, përfaqësuesit e BE-së nënvizojnë se e drejta për tubim paqësor është themelore dhe e garantuar nga Karta e të Drejtave Themelore të BE-së, por paralajmërojnë se çdo formë dhune është e papranueshme.

“Përdorimi i dhunës nuk mund të justifikohet për asnjë arsye dhe të gjithë aktorët duhet të distancohen prej saj”, thuhet në reagim.

Delegacioni europian thekson gjithashtu se opozita ka një rol kyç në jetën demokratike të vendit, duke e konsideruar të domosdoshme pjesëmarrjen e saj aktive në Parlament, sidomos në proceset e rëndësishme reformuese që lidhen me integrimin europian të Shqipërisë.

Ky qëndrim vjen në një moment të ndjeshëm politik, duke rikujtuar se dialogu institucional dhe angazhimi konstruktiv mbeten thelbësorë për avancimin e vendit drejt Bashkimit Europian.