“Kosova në NATO” – Berisha kërkesë urgjente SHBA-së: Të shqyrtohet menjëherë pranimi i Kosovës anëtare e Aleancës

Në 27-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga ushtria serbe, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një thirrje të fuqishme ndaj Kongresit Amerikan dhe administratës së Donald Trump, duke kërkuar shqyrtimin e menjëhershëm të pranimit të Kosovës si anëtare e plotë të NATO.

Në një konferencë për mediat në selinë e PD-së, Berisha kujtoi rolin vendimtar të NATO-s në vitin 1999, që sipas tij çoi në çlirimin e Kosovës nga “pushtuesit barbarë serbë”, duke e cilësuar këtë ndërhyrje si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë moderne të Ballkanit.

“Kufiri i NATO-s duhet të përkojë me kufirin e Kosovës,” deklaroi Berisha, duke e parë këtë hap si një mesazh të qartë kundër ambicieve imperialiste të presidentit rus Vladimir Putin. Ai shtoi se anëtarësimi i Kosovës në Aleancë nuk është vetëm një nder për shtetin e ri, por edhe një garanci e fortë për stabilitetin dhe sigurinë në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Berisha theksoi gjithashtu se Kosova, pas 27 vjetësh lirie, është një model i funksionimit të demokracisë dhe ekonomisë në rajon dhe se vendi meriton të jetë pjesë e strukturave më të fuqishme të sigurisë globale.

“Thirrja ime sot është e qartë: Kosova e lirë, frymëzim për vendet e rajonit, duhet të pranohet menjëherë në NATO. Opozita shqiptare do ta çojë këtë nismë përpara në Asamblenë e Aleancës. Është një kontribut i madh për paqen dhe stabilitetin rajonal,” përfundoi Berisha.