Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë të ditur sot se Shqipërisë i nevojitet një ligj i posaçëm për referendumet dhe se mazhoranca do të angazhohet fuqishëm për këtë nismë ligjore.
Në një konferencë për mediat, Balla tha se procesi do të jetë i gjatë dhe i kujdesshëm, duke përfshirë konsultime me juristë, profesorë, studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, para se drafti i ligjit të depozitohet në Kuvend.
“Kryeministri Rama ka theksuar mungesën e një ligji të posaçëm për referendumet, gjë e cila është e pajustifikuar pas më shumë se dy dekadash nga miratimi i Kushtetutës. Me këtë nismë synojmë t’i japim vendit një kornizë të qartë dhe funksionale për mbajtjen e referendumit, duke e bërë këtë instrument të drejtpërdrejtë të shprehjes së vullnetit të popullit efektiv dhe të sigurt”, tha Balla.
Ai shtoi se çdo ndryshim kushtetues përmes referendumit kërkon miratimin e 2/3 të deputetëve dhe mbështetjen e të paktën 1/5 të tyre përpara se të shkojë në votim publik.
Ky ligj i ri pritet të përcaktojë rregullat dhe procedurat për referendume, duke përfshirë edhe ato konsultative, dhe konsiderohet një hap historik drejt forcimit të mekanizmave demokratikë në vend.









