Lufta në Lindjen e Mesme favorizon Shqipërinë – Turistët ndryshojnë planet në minutë të fundit – ‘Zbarkojnë’ në vendin tonë

Konflikti në Lindjen e Mesme po ndryshon hartën e turizmit ndërkombëtar, duke e kthyer Shqipërinë në një nga alternativat kryesore për turistët që kanë anuluar udhëtimet drejt rajoneve të pasigurta.

Vizitorë nga vende të ndryshme europiane po zgjedhin destinacione shqiptare si Durrësi, pasi planet e tyre për vende si Jordania apo Emiratet e Bashkuara Arabe janë prishur për shkak të përshkallëzimit të situatës. Shumë prej tyre kanë rezervuar udhëtime në moment të fundit, të tërhequr edhe nga çmimet më të ulëta dhe siguria relative.

Operatorët turistikë raportojnë se anulimet drejt Lindjes së Mesme kanë sjellë një zhvendosje të kërkesës drejt Europës Juglindore, ku Shqipëria po përfiton ndjeshëm. Turistët vlerësojnë mikpritjen, koston e përballueshme dhe mundësinë për të eksploruar edhe vendet fqinje si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Megjithatë, fillimi i vitit nuk ishte pozitiv për turizmin, pasi në janar u regjistrua një rënie e lehtë e hyrjeve të shtetasve të huaj krahasuar me një vit më parë – një fenomen që nuk ishte parë që prej periudhës së pandemisë.

Pavarësisht kësaj, pritshmëritë për vitin 2026 mbeten optimiste, me një rritje të parashikuar prej 5-10% të numrit të turistëve. Ekspertët theksojnë se kjo rritje do të varet edhe nga cilësia e shërbimeve dhe aftësia për të përmbushur pritshmëritë e vizitorëve.

Në nivel global, kriza në Lindjen e Mesme ka shkaktuar anulime masive udhëtimesh, devijime fluturimesh dhe rritje kostosh, duke i orientuar turistët drejt destinacioneve më të sigurta dhe më të qëndrueshme. Në këtë kontekst, Shqipëria po shfaqet si një nga përfitueset kryesore të kësaj zhvendosjeje.