Krizë karburanti në Slloveni – Vendoset kufi ditor për furnizimin me naftë”

Slloveni është bërë vendi i parë në Bashkimin Europian që vendos kufizime për blerjen e karburantit, si përgjigje ndaj krizës energjetike të shkaktuar nga tensionet në Lindjen e Mesme.

Sipas vendimit të qeverisë, drejtuesit e mjeteve private mund të furnizohen me maksimumi 50 litra karburant në ditë, ndërsa bizneset dhe fermerët do të kenë një kufi më të lartë deri në 200 litra.

Masat erdhën pasi rritja e çmimeve ka nxitur fenomenin e “turizmit të karburantit”, me shoferë nga vende fqinje si Austria që udhëtojnë drejt Sllovenisë për të përfituar nga çmimet më të ulëta.

Ndërkohë, kompani të mëdha si MOL kanë vendosur kufizime edhe më të forta, duke lejuar furnizim deri në 30 litra për automjet.

Kryeministri Robert Golob siguroi qytetarët se rezervat e karburantit janë të mjaftueshme dhe se nuk pritet mungesë, ndërsa zbatimi i rregullave do të monitorohet drejtpërdrejt nga pikat e furnizimit.