Qeveria rikthen Bordin e Karburanteve – Edi Rama fton si pjesëmarës grosistët – e kundërshton Erion Braçe

Qeveria shqiptare vendosi të hënën të rikthejë në funksion Bordin e Karburanteve, me firmë të kryeministrit Edi Rama. Në përbërje të bordit janë ftuar edhe grosistët e karburanteve, një vendim që ka nxitur kundërshtimin e deputetit Erion Braçe.

Braçe argumenton se grosistët nuk mund të jenë vendimmarrës në një organ që synon të mbajë nën kontroll rritjen e çmimeve të karburanteve, të cilat shpesh përcaktohen nga vetë ata.

Sipas vendimit të publikuar në Qendrën e Botimeve Zyrtare (QBZ), çmimet që përcakton Bordi gjatë situatave të veçanta janë të detyrueshme për të gjitha subjektet që tregtojnë nënprodukte të naftës dhe gazit në vend. Përfaqësuesit e tyre duhet të njoftojnë ministrin përgjegjës për ekonominë brenda datës 24 mars 2026.

Ndërkohë, çmimet e karburanteve kanë shënuar rritje të ndjeshme ditët e fundit, me naftën që tregtohet rreth 220 lekë/litër, benzinën me 200 lekë/litër dhe gazin me rreth 65 lekë/litër, sipas raportimeve të Newsbomb.