Pas vendimit për të pezulluar përkohësisht sulmet ndaj infrastrukturës energjetike iraniane, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni është i vendosur të arrijë një marrëveshje me Teheranin.
Në një prononcim për mediat amerikane, Trump theksoi se kontaktet me palën iraniane kanë qenë intensive dhe se ai mbetet optimist për arritjen e një rezultati të rëndësishëm në ditët në vijim.
Ai shtoi se zhvillimet në Iran mund të çojnë edhe në ndryshime të mëdha politike, duke përmendur mundësinë e një “ndryshimi regjimi”.
“Bisedimet me Iranin kanë qenë shumë intensive dhe shpresojmë të arrijmë diçka thelbësore,” u shpreh ai, duke theksuar se komunikimet janë zhvilluar përmes përfaqësuesve të palës iraniane.
Më herët, Trump kishte njoftuar se, bazuar në këto kontakte, ka urdhëruar një pauzë 5-ditore të sulmeve ndaj objekteve energjetike, si pjesë e përpjekjeve për të ulur tensionet dhe për të hapur rrugën e negociatave në rajon.









