Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, duke e akuzuar këtë të fundit për mungesë vullneti për garë dhe demokraci brenda partisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji theksoi se PD nuk mund të funksionojë si një “klub privat”, ku vendimet për përjashtime apo përfshirje merren nga një individ i vetëm, por duhet të udhëhiqet nga rregullat dhe vota e anëtarëve.
Ai akuzoi Berishën se shmang garën dhe etiketon kundërshtarët për të mbuluar, sipas tij, frikën nga përballja demokratike. “Unë nuk kam nevojë për leje apo bekime, por për një garë të hapur dhe votë të lirë,” u shpreh ai.
Në reagimin e tij, Salianji hodhi poshtë edhe deklaratat e Berishës lidhur me një pretendim për një deklaratë ndaj Fatmir Xhafaj, duke i cilësuar ato si shpifje. Ai shtoi me ironi se shqetësimi i vërtetë është “të mos ‘mposhtet’ Edi Rama me votë”.
Gjithashtu, Salianji i bëri thirrje SPAK të nisë hetime lidhur me deklaratat, duke përmendur edhe mundësinë e moskallëzimit të një krimi.









