Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë ngritur shqetësime të reja për kapacitetet balistike të Iranit, pasi dy raketa u lëshuan drejt ishullit Diego Garcia në Oqeanin Indian, duke surprizuar SHBA-në dhe Izraelin.
Sipas raportimeve të The Jerusalem Post, ky veprim sugjeron një rritje të ndjeshme të rrezes së veprimit të raketave iraniane, e cila më parë vlerësohej rreth 2,000 kilometra. Tashmë, ekspertët paralajmërojnë se një pjesë e madhe e Evropës mund të jetë brenda rrezes së tyre.
Ish-kreu i mbrojtjes ajrore izraelite, Ran Kohav, shpjegon se Irani ka zhvilluar raketa me shumë faza, teknologji e ngjashme me atë të përdorur për lëshimin e satelitëve, por që mund të përshtatet edhe për përdorime ushtarake.
Gjatë ditës së sotme, Izraeli arriti të shkatërrojë një nga këto raketa jashtë atmosferës, duke përdorur sistemin e avancuar Arrow missile defense system, i projektuar për të interceptuar objektiva në lartësi të mëdha. Ndërkohë, sistemi Iron Dome përdoret kryesisht për kërcënime me rreze më të shkurtër dhe në lartësi të ulëta.
Raportimet sugjerojnë se raketat mund të jenë variante të modifikuara të modeleve sovjetike ose të klasës Khorramshahr-4, të afta për të goditur objektiva në distanca të gjata dhe nga drejtime të ndryshme, duke përfshirë edhe kryeqytete evropiane si Londra, Parisi dhe Berlini.
Sipas ekspertëve, zhvillime të tilla ndryshojnë ndjeshëm balancën e sigurisë, duke e zgjeruar ndjeshëm hartën e kërcënimit potencial.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se si këto kapacitete nuk u identifikuan më herët. Megjithatë, më 16 mars, ushtria izraelite njoftoi se kishte shkatërruar një bazë iraniane të lidhur me teknologjitë hapësinore dhe sistemet e avancuara të raketave, duke përfshirë edhe programe të lidhura me lëshimin e satelitëve.









