Akuza të forta nga Moska – Sergey Lavrov pretendon se SHBA përgatitet për grushte shteti dhe eliminim lider shtetesh

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka lëshuar akuza të rënda ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke pretenduar se Uashingtoni është i gatshëm të ndërmarrë grushte shteti, arrestime apo edhe eliminime të liderëve të vendeve që zotërojnë burime strategjike.

Në një deklaratë për mediat ruse, Lavrov tha se pasojat e veprimeve amerikane, veçanërisht në bashkëpunim me Izraelin, janë “jashtëzakonisht serioze” dhe do të ndihen për një kohë të gjatë.

Ai shtoi se kjo qasje nuk mund të funksionojë në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar të papranueshme ndërhyrjen “me sëpatë” në një rajon kaq kompleks.

Sipas tij, SHBA-të nuk po marrin në konsideratë interesat e Rusisë dhe po përpiqen ta përjashtojnë atë nga tregjet ndërkombëtare të energjisë, veçanërisht në Europë, ndërsa synojnë dominimin global në këtë sektor.

Lavrov e cilësoi situatën si një kthim në një epokë pa rregulla të qarta ndërkombëtare, ku interesat e SHBA-ve vendosen mbi marrëveshjet globale.

Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të larta, pas sulmeve të nisura më 28 shkurt nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ndaj objektivave në Iran, të cilat u pasuan nga kundërpërgjigje me raketa dhe përshkallëzim të situatës në rajon.

Këto zhvillime kanë ndikuar edhe në sigurinë e Ngushticës së Hormuzit, një nyje kyçe për transportin global të naftës dhe gazit.