Kompany shmang favoritët: “Përballja me Real Madridin, një sfidë historike”

Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, foli pas fitores bindëse ndaj Atalanta, duke komentuar edhe përballjen e ardhshme në UEFA Champions League kundër Real Madrid.

Kompani zgjodhi të mos përcaktojë një favorit për këtë duel të madh, duke theksuar se kjo është një çështje që i takon opinionit publik dhe mediave.

“Sinçerisht nuk e di dhe nuk kam dëshirë të them në një konferencë për shtyp se kush është favorit. Këtë mund ta vendosni ju,” u shpreh ai.

Tekniku belg vlerësoi cilësinë e të dy skuadrave, duke nënvizuar forcën sulmuese si të ekipit të tij, ashtu edhe të Real Madridit.

“Të dyja ekipet kanë shumë kualitet. Nëse shihni mënyrën si sulmojnë lojtarët tanë, e njëjta gjë vlen edhe për Real Madridin. Kjo është diçka shumë e mirë për futbollin,” shtoi Kompani.

Në fund, ai theksoi objektivin kryesor të skuadrës bavareze – fitoren – duke e cilësuar një sukses të mundshëm ndaj Realit si historik.

“Shpresojmë të jetë një ndeshje pozitive për tifozët. Në fund, natyrisht që duam të fitojmë. Nëse arrijmë ta bëjmë këtë kundër Real Madridit, do të ishte diçka historike. Është një nga klubet më të mëdha në Champions, ndaj është një sfidë shumë e bukur,” përfundoi trajneri.