Autoritetet amerikane janë vënë në gjendje gatishmërie pas shfaqjes së disa dronëve me origjinë të panjohur mbi një bazë ushtarake në kryeqytetin amerikan, Uashington.
Sipas raportimeve mediatike, bëhet fjalë për një objekt të rëndësishëm ushtarak ku janë vendosur përkohësisht zyrtarë të lartë të administratës amerikane, përfshirë sekretarin e Shtetit dhe sekretarin e Mbrojtjes.
Dronët janë vërejtur disa herë gjatë natës në ditët e fundit, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë. Për pasojë, autoritetet kanë rritur ndjeshëm masat e mbikëqyrjes dhe kanë forcuar kontrollin në zonë.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se është zhvilluar edhe një takim urgjent në Shtëpinë e Bardhë për të analizuar situatën dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm.
Ekspertët e sigurisë theksojnë se baza në fjalë, megjithëse me rëndësi strategjike, nuk ka të njëjtin nivel mbrojtjeje si disa instalime të tjera ushtarake, çka rrit shqetësimet për sigurinë e zyrtarëve që ndodhen aty.
Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare, duke shtuar dyshimet dhe frikën për incidente të mundshme. Ndërkohë, hetimet për identifikimin e origjinës së dronëve vijojnë.









