Stërvitjet ushtarake të zhvilluara nga Serbia pranë kufirit me Republikën e Kosovës kanë shkaktuar shqetësim të madh në Gjilan dhe zonat përreth. Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar duke i quajtur këto manovra si provokuese dhe shqetësuese për qytetarët.
Në një postim në Facebook, Hyseni thekson se prania e forcave ushtarake, mjeteve ajrore dhe aktivitetet e tjera në zona të banuara krijon ndjenjë pasigurie dhe tension të panevojshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve. “Qytetarët meritojnë qetësi, siguri dhe perspektivë, jo frikë dhe presion”, shkruan ai.
Ndërkohë, edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Enkel Rexhepi, ka dënuar stërvitjet në territorin e Komunës së Bujanocit, duke i quajtur ato provokim ndaj popullatës shqiptare. Postimi i tij përfshinte edhe fotografi të helikopterëve dhe parashutistëve, duke theksuar se demonstrimi i forcës në zona të banuara është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve.
Autoritetet lokale dhe ndërkombëtare janë thirrur të monitorojnë situatën dhe të ndërmarrin veprime për të garantuar stabilitetin në rajon.









