“Ndëshkimi i BE-së” – Berlini bllokon negociatat prej mbrojtjes së Ballukut – Edi Rama nis Peleshin në Gjermani t’i zhbllokojë

Procesi i integrimit të Shqipëria në Bashkimi Evropian ka hyrë në një fazë të ndërlikuar, pasi miratimi i piketave të ndërmjetme (IBAR) është bllokuar, pavarësisht vlerësimeve pozitive në nivel teknik.

Burime politike bëjnë me dije se, edhe pse ekspertët e BE-së kanë dhënë një rekomandim pozitiv, vendet anëtare nuk kanë arritur të japin dakordësinë përfundimtare, duke shtyrë vendimmarrjen për shkak të skepticizmit në rritje.

Në qendër të këtij ngërçi qëndron Gjermania, e cila sipas raportimeve ka mbajtur një qëndrim të fortë, duke lidhur progresin e Shqipërisë me zhvillimet në çështjen që lidhet me hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë emrin e Belinda Balluku.

Edhe pse kryeministri Edi Rama ka mohuar publikisht ndikimin e kësaj çështjeje në procesin e integrimit, situata në Bruksel duket se tregon të kundërtën, me disa shtete anëtare që kërkojnë hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, Rama ka dërguar në Berlin kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, i shoqëruar nga Taulant Balla dhe deputeti i opozitës Redi Muçi, në një përpjekje diplomatike për të bindur palën gjermane.

Paralelisht, në Berlin ndodhen edhe përfaqësues të opozitës shqiptare, mes tyre Gazment Bardhi, Jorida Tabaku dhe Klevis Balliu, çka shton paqartësinë mbi koordinimin mes palëve shqiptare në këtë moment kyç.

Mbetet e paqartë nëse mazhoranca dhe opozita do të paraqiten me një qëndrim të unifikuar përballë partnerëve ndërkombëtarë, apo nëse përplasjet e brendshme politike do të ndikojnë më tej në procesin e integrimit.

Zhvillimet në ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për fatin e negociatave, ndërsa Shqipëria përballet me një nga testet më të rëndësishme në rrugën drejt anëtarësimit në BE.