Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Evropian, Marta Kos, ka theksuar se Mali i Zi mbetet vendi kandidat më i avancuar në procesin e integrimit drejt BE-së, duke konfirmuar progresin e vazhdueshëm në negociatat e anëtarësimit.
Në një deklaratë publike, Kos bëri të ditur se është mbyllur edhe një kapitull tjetër negociatash, duke e çuar në 14 numrin total të kapitujve të përfunduar nga Mali i Zi në këtë proces. Ky zhvillim e forcon pozicionin e Podgoricës si lider mes vendeve të rajonit në rrugën drejt anëtarësimit.
Megjithatë, ajo paralajmëroi se progresi i deritanishëm nuk duhet të krijojë ndjenjë vetëkënaqësie. Sipas saj, sfidat kryesore mbeten ende përpara, veçanërisht në fusha kyçe si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i institucioneve demokratike.
“Mali i Zi është vendi kandidat më i përparuar në rrugën drejt BE-së. Sot mbyllëm një tjetër kapitull negociatash, duke e çuar totalin në 14. Por ende ka shumë punë për të bërë. Tani është momenti për të mbajtur ritmin e reformave, me një fokus të fortë në sundimin e ligjit”, u shpreh Kos.
Deklarata e saj vjen në një moment kur procesi i zgjerimit të BE-së ka rifituar vëmendje strategjike, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor po përpiqen të përshpejtojnë reformat për t’iu afruar standardeve evropiane.
Për Malin e Zi, ky progres konsiderohet një sinjal pozitiv, por edhe një presion shtesë për të mos humbur ritmin në një garë gjithnjë e më konkurruese drejt anëtarësimit në BE.









