Natë terrori në Bejrut – Raketat izraelite godasin qendrën – Viktima dhe ndërtesa të rrafshuara

Kryeqyteti i Libanit u zgjua nën tmerr, pasi sulmet ajrore izraelite goditën drejtpërdrejt zemrën e Bejrutit, duke lënë të paktën 6 të vdekur dhe duke shkatërruar ndërtesa banimi.

Sipas autoriteteve libaneze, bombardimet nuk u kufizuan vetëm në zonat e kontrolluara nga Hezbollah, por prekën edhe lagje qendrore, duke sinjalizuar një përshkallëzim të rrezikshëm të luftës.

Rreth orës 01:30, një sulm shkatërroi disa kate të një pallati në Zuqaq al-Blat, ndërsa pak më tej, në Basta, një tjetër goditje la pas dëme të mëdha. Por kulmi erdhi në orët e para të mëngjesit: një sulm i fuqishëm rrafshoi plotësisht një ndërtesë në Bachoura, pranë qendrës së qytetit.

Frika dhe paniku kanë pushtuar banorët, ndërsa sulmet në zona të dendura urbane po rrisin ndjeshëm bilancin e viktimave dhe rrezikun e një konflikti edhe më të gjerë në rajon.