Një vendim tronditës ka ardhur nga Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF), e cila ka vendosur t’i heqë titullin Senegalit nga Kupa e Kombeve të Afrikës 2026 dhe ta shpallë kampion Marokun.
Sipas vendimit të Komitetit të Apelit, finalja ndaj Marokut është regjistruar me rezultatin 3-0 në favor të marokenëve, pasi u konstatua se Senegali ka shkelur rregulloren duke u tërhequr nga loja gjatë ndeshjes.
Vendimi erdhi pas ankesës së Federatës Marokene, ndërsa organi i apelimit rrëzoi vendimin e mëparshëm disiplinor dhe e konsideroi veprimin e Senegalit si dorëzim të ndeshjes, duke zbatuar nenet përkatëse të rregullores.
Finalja e 18 janarit ishte e mbushur me tensione dhe polemika, me vendime të diskutueshme të arbitrit Jean-Jacques Ndala. Senegali madje shënoi një gol që u anulua për faull, ndërsa një penallti për Marokun ndezi protestat e lojtarëve afrikanë. Në kulmin e kaosit, trajneri Pape Thiaw urdhëroi largimin e ekipit nga fusha në shenjë proteste.
Megjithëse Senegali arriti të fitonte ndeshjen në fushë pas rifillimit të lojës, me golin vendimtar të Pape Gueye, vendimi i fundit i CAF-it e përmbysi plotësisht rezultatin, duke i dhënë trofeun Marokut në tavolinë.
Ky zhvillim konsiderohet një nga rastet më të rralla dhe më kontroverse në historinë e futbollit afrikan.












