Juristi Kreshnik Spahiu kritikoi ashpër qëndrimin e dyfishtë të Partisë Demokratike për Rezolutën që shpall Iranin si ‘shtet sponsor të terrorizmit’, duke e cilësuar si më të pamoralshmen në politikën shqiptare.
Në një lidhje live për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, Spahiu tha se PD në Parlament “është me Iranin”, ndërsa në seli deklaron mbështetje për SHBA-të.
“ShBA-të nuk kanë nevojë për servilizmin e Ramës apo për votën pro të Shqipërisë. Problemi është dyfytyrësia e politikës shqiptare: PD në Parlament shmang votën kundër, por më pas në seli organizon konferenca për shtetin iranian,” tha Spahiu.
Sipas tij, mungesa e një qëndrimi të qëndrueshëm dhe parimor tregon “zero dinjitet” dhe është një shembull i qartë i politikës dyfytyrëshme.
Kujtojmë se Grupi i PD-së nuk mori pjesë në seancën plenare të Kuvendit, por më pas doli në selinë e partisë dhe deklaroi Iranin si vend që sponsorizon terrorizmin.









