Prodhuesit theksojnë mungesën e dëmit të mundshëm anësor nga lazerët, ndryshe nga armët e mbrojtjes ajrore që mund të devijojnë nga kursi me rezultate fatale. Por, lazerët paraqesin gjithashtu një rrezik të ri për civilët.
Më 10 shkurt, hapësira ajrore mbi El Paso, Tekas, u mbyll papritur pasi një patrullë kufitare amerikane qëlloi me një armë lazer ndaj një objekti në ajër që më vonë u tha ishte balonë nga një festë. Si reagim ndaj përdorimit të armës, autoriteti amerikan i aviacionit ndaloi të gjitha fluturimet në zonë.
“Kaosi” i shkaktuar nga ndalimi i avionëve për rreth tetë orë shërbeu si një alarm se lazerët mund të shkaktojnë dëme ndaj avionëve qoftë edhe larg armës ose cakut të shënjestuar. Agjencitë e aviacionit civil nuk ka gjasa ta pranojnë rrezikun e një incidenti të tillë.
Jamey Jacob, profesor i inxhinierisë aerohapësinore në Universitetin Shtetëror të Okllahomës, thotë se shfaqja e armëve lazerë në fushëbetejën moderne ka të ngjarë të nxisë evoluim të mëtejshëm në dizajnin e dronëve sulmues.
Kjo mund të përfshijë mbrojtje rezistente ndaj nxehtësisë ose dronë që rrotullohen për të mos lejuar që një pikë e vetme në trupin e tyre të bëhet caku.
“Në fund, e gjithë kjo është një lojë si macja me miun”, i tha ai REL-it.
“Sapo të kesh mbrojtje efektive kundër një kërcënimi që e neutralizon atë në mënyrë efektive ose thelbësore, shfaqet një variant i ri i kërcënimit. Kjo është natyra e luftës moderne”, përfundon ai./REL









