Panik në Bagdad – Raketat godasin Aeroportin Ndërkombëtar dhe strukturën e Ambasadës Amerikane

Pesë raketa goditën mbrëmjen e sotme zonën e Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit dhe një strukturë të Ambasadës Amerikane, duke plagosur pesë qytetarë irakianë. Një raketë goditi një strukturë navigimi ajror në pjesën civile të aeroportit, ndërsa katër të tjera ranë brenda kompleksit të Qendrës së Mbështetjes Diplomatike të Bagdadit (BDSC), e përdorur nga ambasada.

Autoritetet nuk kanë identifikuar menjëherë autorët e sulmit, por sulmet ndaj objekteve të lidhura me SHBA-në në Bagdad janë të shpeshta. Grupi Rezistenca Islamike në Irak ka marrë përgjegjësinë për disa sulme të ngjashme gjatë 24 orëve të fundit, që nga fillimi i konfliktit SHBA-Izrael-Iran.

Shtetet e Bashkuara më parë kanë kryer sulme ajrore ndaj milicive shiite të mbështetura nga Irani, të cilat konsiderohen kërcënim për interesat e tyre në rajon.