Papa Leo XIV përsëriti thirrjen e tij për paqe dhe dialog në Lindjen e Mesme, duke dënuar dhunën që ka prekur popujt e rajonit gjatë dy javëve të fundit.
“Të dashur vëllezër dhe motra, mijëra njerëz të pafajshëm janë vrarë dhe shumë të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre”, tha Papa gjatë lutjes javore Angelus në Vatikan. Ai shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për të gjithë ata që kanë humbur të afërmit në sulmet që kanë goditur shkolla, spitale dhe zona banimi.
Në mesazhin e tij, Papa iu drejtua edhe aktorëve të konfliktit: “Armëpushim! Le të rihapen shtigjet e dialogut.” Ai theksoi se dhuna nuk mund të sjellë drejtësi, stabilitet apo paqen e pritur nga njerëzit.
Papa Leo gjithashtu ripërsëriti mbështetjen për të krishterët dhe qytetarët e tjerë të Lindjes së Mesme që përballen me pasojat e luftës, duke bërë thirrje për solidaritet dhe zgjidhje paqësore.









