Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se 14 persona, përfshirë katër fëmijë, kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë u plagosën në tre sulme ajrore të kryera nga Izraeli në jug të vendit. Sulmet goditën lagjen Rahibat në qytetin Nebatieh, zonën Haret Saida në Sidon dhe zonën Katrani në Jezzine.
Sipas autoriteteve libaneze, në Rahibat u vranë shtatë persona, përfshirë katër fëmijë, ndërsa në Haret Saida humbën jetën katër persona dhe në Katrani tre të tjerë. Tetë persona u plagosën gjatë sulmeve. Mediat lokale raportuan gjithashtu se më herët ushtria izraelite kishte shënjestruar një apartament në zonën Shurahbil të Sidonit, megjithëse ende nuk ka informacione të detajuara për pasojat.
Që nga 2 marsi, mbi 826 persona janë vrarë në sulmet e vazhdueshme izraelite në Libanin jugor, përfshirë 106 fëmijë dhe 65 gra, sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.









