Sot shënohen 18 vjet nga shpërthimi tragjik në Gërdec, një nga ngjarjet më të rënda civile në historinë e Shqipërisë pas periudhës së luftës. Familjarët e viktimave dolën me një deklaratë publike, duke theksuar se drejtësia për humbjen e jetëve të të dashurve të tyre është ende larg përfundimit dhe se gjyqi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, po zvarritet prej vitesh.
Sipas familjarëve, procesi gjyqësor nuk është politik, por pengesat për drejtësi kanë qenë shpesh të natyrës politike. Akuza ndaj Mediut u ngrit që në vitin 2009, por çështja u mbyll për një dekadë për shkak të imunitetit parlamentar që i mundësoi ai si deputet dhe mungesës së veprimeve nga organet e akuzës për vazhdimin e procedimit.
Vetëm pas kërkesave të familjarëve, çështja u rikthye në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Sipas tyre, i pandehuri ka përdorur seancat jo vetëm për argumente juridike, por edhe për deklarata politike dhe përfitime personale, ndërsa gjykata ka toleruar shtyrje dhe adaptim të procedurave në favor të tij.
Familjarët theksojnë se vendimet e ish-ministrit për lejen e demontimit të municioneve të kalibrave të mëdhenj pranë zonave të banuara, nga një kompani private pa teknologjinë dhe mbikëqyrjen e duhur, ishin faktor kryesor që çoi në shpërthim. Ata vënë në dukje se pretendimet e Mediut se operacioni ishte i domosdoshëm nuk e ndryshojnë tragjedinë dhe humbjen e jetëve njerëzore.
“Tragjedia e Gërdecit nuk është thjesht një përvjetor. Është një kujtesë e përditshme e jetëve të humbura dhe e drejtësisë që ka marrë rrugë tepër të gjatë,” thuhet në deklaratë. Familjarët kërkojnë vetëm të vërtetën dhe drejtësinë, për të siguruar që një ngjarje e tillë të mos përsëritet më.









