Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë 99.9% të biznesit aktiv në Shqipëri, duke punësuar 82% të forcës punëtore dhe duke krijuar 78.1% të vlerës së shtuar në ekonomi. Megjithatë, vetëm 3.1% e tyre janë eksportuese, ndërsa 11.9% importuese, duke treguar se pjesa më e madhe e NVM-ve operon kryesisht në tregun e brendshëm.
Në sektorë, mikrondërmarrjet dominojnë në akomodim dhe shërbime ushqimore, ndërsa ndërmarrjet e vogla janë më të përqendruara në ndërtim dhe ato mesme në industri përpunuese. Në total, nga 119,870 ndërmarrje aktive në vitin 2024, vetëm 174 ishin të mëdha, ndërsa pjesa dërrmuese janë mikro, të vogla ose të mesme.
Krahasuar me Bashkimin Evropian, roli i NVM-ve në Shqipëri është më i madh, por pjesëmarrja në tregtinë ndërkombëtare mbetet shumë e kufizuar.









